BE-ja mbështet ekonominë qarkulluese në Shqipëri
2023-12-27 14:15:20

Foto nga ATSH

Bashkimi Evropian mbështet zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, si një sektor kryesor për të ardhmen e qëndrueshme të vendit.

Sipas një njoftimi të zyrës së Delgacionit të BE-së në Shqipëri, duke ricikluar dhe ripërdorur mbetjet, mund të ulet ndikimi mjedisor dhe të krijohen mijëra vende të reja pune, shkruan “ATSH”.

Objektivi i përgjithshëm i kësaj mbështetje është të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese.

Projekti mbështet tranzicionin drejt një ekonomie qarkulluese dhe rritjes së gjelbër në Shqipëri nëpërmjet një kuadri rregullator të përmirësuar, me kapacitete institucionale të forcuara dhe duke ofruar modele të gjelbra të biznesit.

Aksioni mbështet qeverinë shqiptare në arritjen e objektivave kyç në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes së gjelbër ekonomike, konkretisht, përshpejtimin e transformimit në një ekonomi rrethore, përmirësimin e efikasitetit të energjisë, kontributin në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve. (Irma)