Eurostat: Shqipëria, e katërta në Evropë për konsumin e energjisë nga burime të rinovueshme
2023-12-27 10:07:38

Foto nga VCG

Eurostat-i bëri të ditur se Shqipëria renditet në vendin e katërt në Evropë për konsumin energjisë nga burime të rinovueshme.

Referuar të dhënave të Eurostat-it, konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në 44%, shkruan “RTSH”.

Në vendin e parë renditet Norvegjia me gati 76% të konsumit të energjisë nga burime të rinovueshme, në vendin e dytë Suedia me 66%, ndërsa në të tretin Finlanda, me 48%. 

Sipas Eurostat-it, këto vende e mbështesin konsumin e tyre kryesisht në HEC-e, erë dhe biokarburante të ngurta dhe të lëngshme. 

Pjesa e burimeve të rinovueshme në konsumin bruto të energjisë finale në nivel të Bashkimit Evropian arriti në 23% në vitin 2022. 

Krahasuar me vitin 2021, kjo përfaqëson një rritje prej 1.1 pikë përqindjeje.

Ndërkaq, direktiva e rishikuar për energjinë e rinovueshme ka rishikuar objektivin e BE-së për energjinë e rinovueshme për vitin 2030 nga 32% në 42.5% (me synimin për ta rritur atë në 45%).  (Irma)