Hakerohet faqja online e Kuvendit të Shqipërisë, Parlamenti: Nuk ka humbje të të dhënave
2023-12-27 11:32:38

Foto nga ATSH

Grupi iranian i hakerave “Homeland Justice” njoftuan se kanë hakëruar faqen online të Kuvendit të Shqipërisë. Në një njoftim në rrjetin e tyre “Telegram”, u bë e ditur se deputetët e korruptuar shqiptarë do të shkatërrohen, shkruan “Panorama”.

“Do të paguajnë edhe uzurpuesit e sediljeve të Kuvendit. Deputetët e korruptuar së shpejti do të shkatërrohen kur të kuptojnë se si demoni i tyre i brendshëm po i demonstrohet çdo kërkuesi të së vërtetës”, shkruhet në “Telegram”.

Lidhur me këtë sulm pati dhe një reagim nga Kuvendi i Shqipërisë, ku bëhet e ditur se sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.

“Është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave. Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit. Ekspertët e IT-së po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë”,- thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë. (Irma)