Kryeministri Rama: 10 milionë turistë të huaj në Shqipëri gjatë 2023-shit
2023-12-27 10:05:33

Foto nga VCG

Kryeministri Edi Rama deklaroi se është përmbushur qëllimi i qeverisë për hyrjen në Shqipëri të rreth 10 milionë turistëve përgjatë vitit 2023-shit.

Duke e konsideruar këtë shifër një lajm të bukur, kryeministri Rama tha se kjo është një arritje të paimagjinueshme deri pak vite më parë, shkruan “RTSH”.

“Bashkë me krishtlindjen kaloi edhe numri 10 milionë i turistëve të huaj në Shqipëri; një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë. 10.011.500 turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri deri më 25 dhjetor”,- shkroi kryeministri Rama në “Facebook”.

Ashtu sikurse ishte bërë me dije më herët nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pritej që turisti i 10 miliontë të futej në Shqipëri më 31 dhjetor, por duket se kjo shifër është arritur para natës së ndërrimit të viteve, duke shënuar kështu një shifër rekord për sa i përket numrit të vizitorëve që hynë në Shqipëri përgjatë një viti. (Irma)