Ministri Balla: Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të rrisë forcën goditëse ndaj krimit ekonomik
2023-12-25 10:32:18

Foto nga RTSH

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) do të rrisin forcën goditëse ndaj të gjitha formave të krimit ekonomik”, shkruan “ATSH”.

Deklarata e ministrit Balla vjen pas aksionit të AMP-së, ku u arrestuan 2 doganierë, u shpall në kërkim një tjetër dhe 3 punonjës të Antikontrabandës, nën akuzën se kanë lejuar futjen e mallrave kontrabandë në këmbim të ryshfetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla shkroi se ky aksion është mesazh ndaj kujtdo që i shkon në mendje që të marrë shuma të caktuara monetare në këmbim të shkeljes së detyrës.

“Një bravo e merituar për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila ka goditur një rast flagrant kontrabande duke arrestuar fajtorët. Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të rrisin forcën goditëse ndaj të gjitha formave të krimit ekonomik. Ky aksion është një mesazh i qartë ndaj kujtdo, të cilit i shkon në mendje të kthejë pas kohën e kaluar, kur ngrihej trau për të mbushur xhepat e disa personave, na bën më të vëmendshëm për t’i goditur fort këto tentativa”, shkroi Balla. (Irma)