Ministri Balla: Sundimi i ligjit po godet çdo ditë armëmbajtjen pa leje
2023-12-24 10:19:03

Foto nga ATSH

Sundimi i ligjit po godet çdo ditë armëmbajtjen pa leje, një fenomen që mbetet një shembull i keq në sytë e publikut. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në reagim të rezultateve të policisë në operacionet e fundit.

Sipas tij, armëmbajtja pa leje është burim potencial i krimeve të rënda kundër personit, citon “ATSH”.

Policia e Shtetit ka ndaluar 14 persona dhe ka sekuestruar 14 armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme muncioni luftarak në Mirditë, Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat, Kurbin dhe Shijak.

“Përgëzoj Policinë e Mirditës për riorganizimin, hetimin serioz të ngjarjeve të rënda të mëparshme dhe rritjen e forcës parandaluese, siç u dëshmua me parandalimin e një ngjarjeje tjetër të rëndë kriminale”,- theksoi Balla.

“Policia e Shtetit duhet të rrisë vigjilencën gjatë ditëve të festave, të bashkëpunojë me qytetarët, me qëllim që të parandalohen ngjarjet kriminale dhe që të mos cenohet atmosfera festive nga episode të veprimeve të paligjshme”,-  përfundoi ai. (Irma)