Ekspozitë imersive në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë
2023-12-24 14:31:48

Foto nga ATSH

Nga 23 dhjetori, në Korçë, qyteti i serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, u çel një nga ekspozitat më të veçanta në vend.

“Prekni nga afër engjëj e shenjtorë! Për herë të parë pasuria ikonografike e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar vjen e “gjallë” përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë”,- shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Galeria e Arteve Digjitale (GAD) do të ofrojë përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash, shkruan “ATSH”.

Vetë galeria ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë sonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë”.

Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia shqiptare; mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit, do të jetë e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00. Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar. (Irma)