Aderimi në IUCN, Kumbaro: Interes i shtuar për ruajtjen e zonave të mbrojtura
2023-12-24 12:15:00

Foto nga Balkanweb

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)”.

E pranishme në mbledhjen e komisionit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se ky projektligj është një shprehje shumë e qartë për interesin qe ka qeveria shqiptare për zonat e mbrojtura, ruajtjen e biodiversitetit dhe të ekosistemeve natyrore në Republikën e Shqipërisë, citon “ATSH”.

“Ky union (IUCN) nëpërmjet mekanizmave të tij forcon kapacitetin institucional të anëtarëve të tij për të ruajtur diversitetin biologjik dhe për të mbrojtur proceset ekologjike të mbështetjes së jetës në nivele globale, rajonale, kombëtare dhe lokale; promovon bashkëpunim të zgjeruar ndërmjet anëtarëve të tij qeveritarë dhe joqeveritarë për të forcuar kapacitetin e anëtarëve dhe partnerëve të tij; inkurajon kërkimin në lidhje me konservimin e natyrës dhe burimeve natyrore dhe shpërndan informacion në lidhje me këto kërkime, ofron një forum për diskutimin e çështjeve të konservimit, duke përfshirë dimensionet e tyre shkencore, arsimore, ligjore, ekonomike, sociale dhe politike në nivel global, rajonal, kombëtar dhe lokal, si dhe zhvillon rrjete ekspertësh për të mbështetur anëtarët dhe komponentët e tij”,- u shpreh Kumbaro.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. (Irma)