Kryeministri Rama me përfaqësuesit e trupit diplomatik: 2023-shi, vit i suksesshëm për Shqipërinë
2023-12-23 11:09:12

Foto nga RTSH 

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri. Ndërsa listoi arritjet e vendit, ai e cilësoi 2023-shin një vit të suksesshëm.

“Ka qenë sidoqoftë, një vit i mirë për Shqipërinë dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve, që keni qenë bashkudhëtarë të mirë në këtë rrugëtim shprese, ambiciesh dhe pune të madhe për ta transformuar këtë vend në Evropën e Ballkanit. Nuk i falënderoj dot mjaftueshëm miqtë tanë të BE-së për mbështetjen gjithnjë e më të fortë që po marrim prej tyre. Nuk ka qenë rrugëtim i lehtë, por e çmojmë me të gjithë barrën e përgjegjësive që rriten në çdo hap që na afron”, tha Rama, citon “RTSH”.

Shefi i qeverisë shqiptare shpreson që viti 2024 të jetë akoma më i mirë, duke renditur disa nga projektet që synohet të realizohen për vitin në vijim.

“Bumi turistik pritet të ndiqet në vitin 2024 nga një histori shumë më e madhe suksesi, që do të çelë kapitullin e ri të mbi 10 milionë turistëve. Viti 2024 do të hyjë si viti me borxhin më të ulët publik qëkurse morëm detyrën dhe do të ketë të ardhurat më të larta”,- deklaroi kryeministri Rama, duke renditur ndër synimet rritjen e mëtejshme të pagave, uljen e papunësisë, nisjen e projekteve të mëdha në infrastrukturë dhe energjetikë, gazsjellësin e ri, eksplorimet në Shpirag. (Irma)