Flotës së ambulancave në Shqipëri i shtohen automjete të reja
2023-12-23 12:21:40

Foto nga ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të 7 autoambulancave nga organizata ndërkombëtare humanitare “Islamic Relief Albania” në Shkodër, në kuadër të projektit “Qasje e integruar drejt zhvillimit të qëndrueshëm për komunitetet në Shqipëri”.

Autoambulancat e reja do të vihen në shërbim të disa spitaleve në vend, si në Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Dibër dhe Gramsh, shkruan “ATSH”.

Ministrja Koçiu deklaroi se këto autoambulancat do të jenë një vlerë e shtuar për funksionimin e flotës shëndetësore, e cila pothuajse çdo vit është shtuar.

Duke pasur në fokus forcimin e strukturave dhe përgjigjes ndaj emergjencave dhe urgjencave, ministrja Koçiu tha se po punohet për të përmirësuar akoma më shumë Urgjencën Kombëtare e cila tashmë është ngritur në një stad tjetër.

Ajo theksoi se në 4 vite, falë mbështetjes së qeverisë, është mundësuar fuqizimi i flotës së autoambulancave në territor me 106 autoambulanca të reja të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese, duke e fuqizuar dhe modernizuar shërbimin e urgjencës paramjekësore, për t’iu përgjigjur çdo thirrjeje për urgjencë mjekësore nga qytetarët në të gjithë territorin në mesatarisht 15 minuta.

Ministrja nënvizoi se falë investimeve, autoambulancat nuk janë më thjesht mjeti që transportonte të sëmurin në spital, por mundësojnë që shërbimi të merret menjëherë, pa pasur nevojë për transport në spital të më shumë se gjysmës së qytetarëve të cilëve u është ofruar ndihmë. (Irma)