Shumica e qyteteve të Shqipërisë po vuajnë nga zhvendosja e popullsisë
2023-12-23 14:12:44

Foto nga VCG

Shumica e qarqeve të vendit, 9 prej 12 gjithsej, janë duke vuajtur rënien e popullsisë edhe prej emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe rënies së lindjeve.

INSTAT-i raportoi se në vitin 2022, në nivel qarku, vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kishin një migrim të brendshëm neto pozitiv (më shumë të ardhur se sa të larguar), respektivisht me 7366 Tirana, 1182 Durrësi dhe 239 Vlora, shkruan “Panorama”.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, të gjitha qarqet e tjera, Berati, Dibra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Korça, Kukësi, Lezha, Shkodra, kanë pasur migrim të brendshëm neto negativ gjatë vitit 2022.

Në veçanti, qarqet e Dibrës dhe Elbasanit me -1822 dhe -1283 respektivisht.

Një tregues tjetër, koeficienti bruto i migrimit të brendshëm neto tregon ndikimin që ka ky fenomen në popullsinë e qarqeve të veçanta.

Tirana, Durrësi dhe Vlora ishin qarqet e vetme me koeficient bruto të migrimit të brendshëm neto pozitiv, me një shtesë prej 8 për Tiranën, 4.1 për Durrësin dhe 1.3 për Vlorën persona për një mijë banorë respektivisht.

Qarqet e Dibrës dhe Gjirokastrës kishin nivelet më të ulëta të koeficientit bruto të migrimit të brendshëm neto, përkatësisht me -16.9 dhe -12.1 i ndjekur nga qarku i Kukësit me -10.4 persona për një mijë banorë respektivisht.

Në vitin 2022, bashkia me migrimin neto më të lartë ishte Tirana, me një vlerë prej 6004 të ardhur më shumë sesa të larguar, ndërsa bashkia me migrimin më të ulët ishte Dibra, me 744 të larguar më shumë se të ardhur.

Popullsia mesatare e Shqipërisë u pakësua nga 2.811.666 banorë në vitin 2021 në 2.777.689 banorë në 2022-shin. Në vitin 2022, qarku me popullsinë mesatare më të madhe në Shqipëri ishte Tirana me 922.386 banorë, i ndjekur nga qarku i Durrësit me 290.561 banorë. Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë mesatare më të vogël në vitin 2022-shin ishin Gjirokastra dhe Kukësi, respektivisht me 54.296 dhe 72.133 banorë. (Irma)