Porti i Durrësit, nga e enjtja lundrime të dyfishta të trageteve
2023-12-23 12:23:38

Foto nga RTSH

Prej ditës së enjte, tragetet që lidhin Portin e Durrësit me brigjet italiane dhe anasjelltas, do të nisin lundrimet dyfishe brenda ditës.

Synimi është përballimi i fluksit të pasagjerëve drejt Shqipërisë.

Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit, Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Durrës, Dogana dhe të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në portin më të madh në vend, janë duke operuar me kapacitet të plotë për mbarëvajtjen e fluksit të udhëtarëve në prag të festave të fundvitit.

Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port, ka marrë masat për krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që hyn apo del nëpërmjet portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese dhe vigjilencën e shërbimeve për ta, shkruan “ATSH”.

“20 sportele janë vënë në funksion të përpunimit në kohë rekord të pasagjerëve dhe mjeteve, ndërkohë që ka nisur dhe aplikimi i masave shtesë të shërbimeve në Terminalin e Trageteve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga instancat shtetërore dhe subjektet private në sektorin e udhëtarëve”, bën të ditur Autoriteti Portual Durrës. (Irma)