FMN: Shqipëria mund të rrisë ardhurat duke luftuar korrupsionin dhe zbatuar reformat
2023-12-23 14:19:06

Foto nga VCG

Vendet në zhvillim, ku është klasifikuar edhe Shqipëria, mund të rrisin të ardhurat buxhetore edhe me 9% të PBB-së deri në vitin 2030, nëse zbatojnë disa reforma që kanë të bëjnë me uljen e korrupsionit, luftën ndaj informalitetit, zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve, thuhet në raportin e FMN-së: “Vendet mund të shfrytëzojnë potencialin tatimor për të financuar objektivat e zhvillimit”, citon “Panorama”.

Sipas ekspertëve të FMN-së, që nga viti 1990 disa vende kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme në rritjen e të ardhurave, si Shqipëria, Argjentina, Armenia, Brazili, Kolumbia dhe Gjeorgjia, të cilat mobilizuan më shumë se 5 pikë përqindje të PBB-së. Kjo rritje ndodhi përpara krizës financiare globale të vitit 2008, më pas përparimi ka qenë i vështirë dhe i brishtë.

Të ardhurat buxhetore në vlerë në Shqipëri janë rritur, por ato nuk e kanë përmirësuar raportin me PBB-në që nga viti 2008. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria shqiptare e Financave, në vitin 2022 të ardhurat buxhetore arritën në 26.8% të PBB-së, një nivel më i ulët se në vitin 2008, ku treguesi ishte 28.9% e PBB-së.

Ekspertët e FMN-së thonë se vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë potencialin për të rritur raportet e tyre të taksave ndaj PBB-së deri në 9 pikë përqindjeje përmes reformës tatimore dhe forcimit të institucioneve publike. Hapësira e re e pataksuar mund t’i sigurojë vendit burime financiare të mjaftueshme për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Shfrytëzimi i këtij potenciali do të kontribuonte gjithashtu në zhvillimin financiar dhe sipërmarrjen e sektorit privat.

Përmirësimi i institucioneve publike në ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë Shqipëria, duke përfshirë reduktimin e korrupsionit, do të rezultonte në një rritje shtesë prej 5 pikë% e të ardhurave në raport me PBB-së.

Për të ndërtuar kapacitetin tatimor qeveritë do të duhet të zbatojnë reforma gjithëpërfshirëse institucionale, e cila fokusohet në politikën e brendshme fiskale.

FMN sugjeron si ndërhyrje themelore në përmirësimin, hartimin dhe administrimin e taksave të tilla si TVSH-ja, akcizat, taksat mbi të ardhurat personale dhe taksat mbi të ardhurat e korporatave. (Irma)