Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë të interesit për lekun
2023-12-22 14:31:11

Foto ATSH

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi mos të ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, nisur nga pritshmëritë për rënien e mëtejshme të çmimeve vitin që vjen.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 3.25%, shkruan “ATSH”

Gjithashtu Sejko tha se qëndron e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.25% dhe mbetet e pandryshuar norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.25%.

Guvernatori informoi gjithashtu se, në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit. (Irma)