Shqipëri-Itali, marrëveshje për ndërtimin e një linje nënujore të transmetimit të energjisë
2023-12-22 11:34:41

Foto ATSH

Qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me palën italiane për ndërtimin e një linje nënujore të transmetimit të energjisë midis Shqipërisë dhe Italisë, deklaroi zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shkruan “ATSH”.

“Kemi arritur një marrëveshje me palën italiane, me qeverinë italiane, pasi kemi pasur një bisedë intensive dhe të detajuar me Operatorin e Transmetimit Italian, pra me TERN-in, për të ndërtuar tashmë linjën e transmetimit energjetik midis Shqipërisë dhe Italisë. Një linjë nënujore”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi se Operatori i Transmetimit ka arritur që të ngrejë një grup pune me palën italiane, së bashku me investitorët që kërkojnë të investojnë në këtë linjë, për të pasur brenda vitit 2024 një studim fizibiliteti konkret, i cili do t’i hapë më pas rrugën një marrëveshjeje konkrete financiare, komerciale dhe teknike midis dy vendeve, duke përmbyllur kështu korridorin e 8-të energjetik, i cili do të lidhë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Në vijim të fjalës së saj, Balluku u ndal në një sërë projektesh dhe investimesh që po ndërmerr qeveria në sektor strategji të ekonomisë kombëtare, falë edhe mbështetjes së BE-së.

Po ashtu, ministrja Balluku folie dhe për linjën e transmetimit, një pjesë e rëndësishme e unazës që lidh Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, që do të pasohet edhe nga projekte të tjera shumë të rëndësishme të transmetimit në Republikën e Shqipërisë.

“Operatori ynë i Transmetimit ka nisur prej kohësh negociatat, së bashku me Ministrinë e Energjisë me palën greke, për sa i përket trefishimit të kapaciteteve të transmetimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, një lajm që është pjesë e një ëndrre tjetër të qeverive shqiptare, ashtu siç ishte Korridori Blu, ashtu siç ishte tuneli i Llogorasë apo porti i ri i Durrësit”, u shpreh Balluku. (Irma)