Guvernatori Sejko: Inflacioni pritet të ulet më tej në vitin 2024
2023-12-22 14:32:18

Foto ATSH

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive dhe se vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Sipas tij, inflacioni parashikohet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm, shkruan “ATSH”.

Guvernatori Sejko tha se inflacioni i çmimeve të konsumit zbriti rreth nivelit 3.9% gjatë dy muajve të parë të tremujorit të katërt, diktuar nga inflacioni më i ulët i artikujve ushqimorë, i shërbimeve dhe i mallrave të konsumit afatgjatë. Nga ana tjetër, shërbimet e strehimit dhe mallrat e konsumit joushqimor, e në veçanti të karburantit, shënuan norma më të larta inflacioni.

Sipas tij, vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar më së shumti trendin pozitiv të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi.

“Ky sektor shënoi të ardhura prej 3.2 miliardë eurosh gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, në rritje me 47% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Për herë të parë në histori, si ekonomi e bazuar në parimet e tregut të lirë, Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv të llogarisë tregtare dhe të llogarisë korrente, të vlerësuar rreth nivelit 6.4% të PBB-së në tremujorin e tretë”, tha Sejko.

Lidhur me pritshmëritë për të ardhmen, guvernatori theksoi se parashikimet e BSH-së rikonfirmojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve.

“Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet gjatë vitit 2024. Ky reduktim do të pasqyrojë një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe të ofertës në ekonominë vendase, por edhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit te partnerët tregtarë”. (Irma)