Kuvendi i Shqipërisë votoi pro kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Berisha
2023-12-22 11:33:07

Kuvendi i Shqiperise (Foto Facebook Kuvendi i Shqiperise)

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 75 vota pro kërkesën e SPAK “Për dhënien e autorizimit nga Parlamenti për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, shkruan “ATSH”.

Kuvendi i ka dërguar SPAK dy raportet e mazhorancës dhe Enkelejd Alibeajt të miratuara më 18 dhjetor në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit të Parlamentit.

Deputetët socialistë dhe ai i opozitës Enkelejd Alibeaj, pavarësisht raporteve të ndara, ishin unanimë në konkluzionet dhe rekomandimin e tyre për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.

Dy raportet u miratuan të enjten në seancën plenare vetëm me votat e mazhoranës, ndërsa opozita protestoi duke përmbysur karriget para foltores së Kuvendit dhe duke ndezur tymuese.

Ish-kryeministri Berisha po hetohet në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ndërsa për të ishte caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë Shqipërisë”.

Ndërsa jashtë sallës së Kuvendit zhvillohej protesta e thirrur nga drejtuesi i grupimit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha. (Irma)