Fillojnë punimet për linjën e interkonjeksionit 400 kV me Maqedoninë e Veriut
2023-12-21 14:14:41

Foto RTSH

Ka nisur puna për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Në ceremoninë e zhvilluar në Elbasan, zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky projekt do të lidhë ngushtë tregjet e të dy vendeve dhe do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme, si në kombinimin e burimeve natyrore për prodhim të energjisë elektrike, ashtu edhe në uljen e kostove respektive të furnizimit të të dy tregjeve me energji elektrike, duke rritur konkurrueshmërinë e rajonit, si edhe duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike të të dy vendeve, citon “RTSH”.

“Kjo linjë interkonjeksioni i shton kapacitetet tona transmetuese me 1500 megavat orë, duke na dhënë komoditet për transmetimin e energjisë. Gjithashtu, linja rrit sigurinë energjetike si dhe i shërben integrimit më të gjerë rajonal të të dy vendeve në tregun elektroenergjetik ballkanik dhe më gjerë”,- u shpreh Balluku.

“Ky është një projekt i BE-së dhe vendeve partnere dhe shumë projekte të tjera po marrin jetë.  Sot ne tregojmë historinë tonë të suksesit se si një vend i vogël prodhon 100%  energji të rinovueshme, por që ka një strategji agresive për të ardhmen që do e kthejë vendin në një  eksportues neto që do të ofrojë sigurinë energjetike për një rajon kaq të rëndësishëm sikurse është Ballkani”,- tha Balluku.

Ministrja Balluku njoftoi edhe nisjen e një  projekti tjetër, që ka të bëjë me ngritjen e një parku fotovoltaik. (Elona)