Kina, partneri i dytë i Shqipërisë për shkëmbimet tregtare
2023-12-21 11:23:56

Foto ATSH

Italia, Kina dhe Turqia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Referuar raportit të publikuar nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, në periudhën janar – nëntor 2023, Italia është partneri i parë me 29.5 % të volumit të tregtisë së jashtme, Kina me 7.9 %, Turqia me 6.8 % dhe Greqia me 6.6 %, citon “ATSH”.

Të dhënat tregojnë se  eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72.9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.1 % të importeve gjithsej.

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 10.1 %, Gjermania me 29 %, Spanja me 17.9 %, etj.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kosova me 8.9 %, Greqia me 13.9 % dhe Mbretëria e Bashkuar me 3 %.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 5.1 %, Turqia me 26.3 %, Greqia me 23.5 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 25.8 %, Gjermania me 5.2 % dhe SHBA me 29.8 %. (Elona)