Kreditë e buta për mjekët, Koçiu: U kualifikuan 85 nga 191 aplikantë, programi do të vijojë
2023-12-21 14:28:42

Foto RTSH

Nis zbatimi i programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, bëri të ditur se nga 191 aplikime për kategorinë e mjekëve, 85 janë kualifikuar për të vijuar më tej me procedurat,  bën të ditur “RTSH”. Koçiu u shpreh se ky është vetëm fillimi i një rruge të re mbështetjeje afatgjatë për familjet e reja të atyre që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

“Programi do të vijojë të shtrihet më tej dhe të detajojë meritën, dinjitetin, vlerën e respektin për secilin prej jush. Do të  rrisim më tej pagat për mjekët e familjes dhe infermierët në 2024-n. Programi i strehimit social për kreditë e lehtësuara për blerjen e një banese për punonjësit e administratës u hap në shtator. Nga 191 aplikime për kategorinë e mjekëve u vlerësuan si fitues 85 mjekët e parë, të cilët janë kualifikuar për të vijuar më tej procedurat. Ky është vetëm viti i parë i zbatimit të këtij programi”, - tha Ministrja Koçiu. (Elona)