Veliaj me nxënësit më të mirë të Tiranës: Nga janari bursa falas për kurset digjitale te Piramida
2023-12-21 11:28:16

Veliaj takim me nxënësit (Foto ATSH)

Edhe këtë vit arsimor Bashkia e Tiranës ka mbështetur me bursa 2926 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të cilët kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në mësime.

Gjatë një takimi me një pjesë të tyre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ndihet krenar për suksesin e çdo nxënësi, citon “ATSH”.

“Këtë vit kemi thyer rekord për numrin e nxënësve me dhjeta. Prandaj, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa t’u themi çunave dhe gocave: Bravo ju qoftë! Bursa është një kontribut i qytetit, jo për t’ju bërë të pasur, por për t’u thënë, jo vetëm nxënësve me dhjeta, por edhe të tjerëve, se nëse duan të ecin përpara në jetë, duhet të mësojnë fort, derisa t’ia dalin, duke mos u dorëzuar e duke na bërë të gjithëve krenarë. Prindërit tuaj janë njerëz të thjeshtë, vijnë nga familje që kanë sakrifikuar shumë, disa prej tyre ndoshta ia kanë nisur nga zero në Tiranë, ndaj kam veç mirënjohje për ta, për nënat, baballarët, gjyshërit dhe gjyshet tuaja”, - u shpreh Veliaj.

Pas çdo nxënësi të suksesshëm, shtoi ai, është një familje e fortë, por edhe një mësues dhe mësuese e përkushtuar.

Kryebashkiaku shtoi se, përveç bursave për nxënësit me dhjeta, nga janari 2024 bashkia e Tiranës do të mundësojë kurse digjitale falas te qendra TUMO te Piramida.

“Duke filluar nga data 1 janar, të gjitha kurset tona do të jenë falas. Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kemi vendosur që, për çdo djalë dhe çdo vajzë që dëshiron të marrë njohuri digjitale, ne do ta paguajnë bursën e plotë”,- nënvizoi ai.

Kreu i bashkisë falënderoi edhe nxënësit që aktivizohen si vullnetarë në shumë aktivitete apo aty ku ka nevojë qyteti. (Elona)