Aeroporti i Tiranës, rekord historik me 7 milionë pasagjerë
2023-12-20 11:16:56

Foto Rtsh

Aeroporti i Tiranës (TIA) priti të hënën pasagjerin e 7 miliontë për vitin 2023, duke shënuar shifrën më të lartë historike që ky aeroport ka pasur brenda një viti, bën të ditur “ATSH”.

“Ky është një sukses që u shtohet arritjeve të vazhdueshme të aeroportit, duke nënvizuar edhe rolin e tij në sektorin e aviacionit në Shqipëri”, bën të ditur TIA.

“Jemi krenarë për dyfishimin e pasagjerëve në krahasim me vitin 2019 dhe me rritjen prej 35% në krahasim me vitin e kaluar. Kjo falë të gjitha linjave ajrore, por sigurisht, falë edhe shtimit të linjave me kosto të ulët”,- thuhet në deklaratën e TIA-s.

Nga janari në nëntor, Shqipëria ka mirëpritur gati 10 milionë turistë. Numri më i madh i turistëve që vizituan Shqipërinë janë nga Kosova, ndjekur nga Italia. (Elona)