Arrestimi i ish-kryeministrit Berisha/Këshilli i Mandateve voton pro kërkesës së SPAK-ut
2023-12-20 10:38:04

Foto Rtsh

Me 6 vota pro, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Parlamentin shqiptar vendosi që t’i japë autorizimin SPAK-ut për arrestimin/heqjen e lirisë së ish-kryeministrit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Në fund të mbledhjes, kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se Këshilli do t’i paraqesë seancës plenare relacionin e mbledhjes për dhënien e autorizimit ndaj SPAK-ut në seancën e datës 21 dhjetor. Relatore u caktua të jetë deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, bën të ditur “RTSH”.

Nga opozita në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mori pjesë vetëm deputeti Enkelejd Alibeaj. 

Prokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, sqaroi se nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se personi në hetim, Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore nga viti 2005 e në vijim, ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin në sektorin ndërtimor të territoreve ku janë shtrirë ish-klubi shumësportësh “Partizani” dhe ish-klubi i futbollit “Partizani”, ku përfitues i drejtpërdrejtë, ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi. (Elona)