Guvernatori i BSH-së: Veprimtaria e sektorit bankar, rritje me 3% gjatë 2023-shit
2023-12-20 14:20:09

Foto Atsh

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se gjatë vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar shënoi një rritje me 3%, në terma të totalit të aktiveve dhe depozitave të klientëve dhe portofoli i kredisë shfaqi rritje të dominuar nga kredia në monedhën vendase dhe kredia për prona të patundshme.

Në takimin që zhvilloi me përfaqësues të medias, analistë të njohur të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri, guvernatori Sejko vlerësoi rolin e medias në informimin e publikut, teksa shprehu besimin në profesionalizmin e gazetarëve, që siç tha ai kanë ndihmuar në një transmetim më efikas të politikës monetare në ekonomi dhe në forcimin e stabilitetit të sektorit bankar shqiptar, citon “ATSH”.

Duke u ndalur në përparësitë e industrisë bankare gjatë vitit 2023, guvernatori vuri në dukje se, deri në shtator, kredia kapërceu vlerën prej 720 miliardë lekësh, ndërsa depozitat e klientëve në banka kapërcyen vlerën 1556 miliardë lekë, shifra që tregojnë se sektori ka burime të mjaftueshme për financimin e ekonomisë.

Sejko tha se sot mbi 70% e popullsisë ka një llogari bankare dhe numri i pagesave elektronike për frymë në vit është gati dyfishuar në 18. (Elona)