Ulen për herë të parë çmimet e karburanteve që nga shfuqizimi i bordit
2023-12-19 11:19:24

Foto Panorama

Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë ulur me rreth 10 lekë për litër në dy lëvizje përgjatë javëve të fundit. Aktualisht nafta po tregtohet me 183-189 lekë, nga gati 200 lekë për litër që kishte arritur më parë.

Fillimisht çmimet ranë me 4-5 lekë për litër rreth dy javë më parë, ndërsa ditët e fundit janë reduktuar edhe me 5 lekë për litër, njofton “Panorama”.

Kjo është hera e parë që çmimet e karburanteve kanë tendencë uljeje në vend, që nga muaji maj, kur çmimet u rritën disa herë radhazi, nga niveli më i ulët në mëse një vit prej rreth 170 lekësh, që u arrit në atë kohë.

Në qershor 2023 u shfuqizua Bordi që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve, i cili ishte krijuar që në mars 2022, kur çmimet e karburanteve u rritën me shpejtësi pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë.

Në prill 2022, në tregun vendas karburantet arritën rekordin deri në 245 lekë për litër.

Në bursat ndërkombëtare çmimet kanë rënë ndjeshëm nga 95 dollarë për fuçi, që arritën në mes të shtatorit, në rreth 75 dollarë për fuçi aktualisht.

Çmimet në bursa kanë rënë në nivelin më të ulët të 6 muajve të fundit, si rrjedhojë e shqetësimeve për nivelin e lartë të prodhimit si dhe rënies së kërkesës së konsumatorëve nga çmimet ende të larta.

Sipas parashikimeve të hershme, edhe kërkesa globale për naftë pritet që të jetë e dobët përgjatë vitit 2024. (Fatosi)