Ministrja Denaj: Rreth 65.000 fermerë kanë përfituar mbështetje të plotë me naftë
2023-12-19 10:54:40

Foto Atsh

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se ka përfunduar shpërndarja e mbi 20.600 kartave të cilat mundësojnë disbursimin e 4.5 milionë litra nafte për të gjithë aplikuesit në skemën direkte të mbështetjes për fermerët në të gjithë Shqipërinë.

Ministrja Denaj theksoi se, falë aktit normativ me 1.8 miliardë lekë, u mundësua mbështetje e plotë për rreth 65.000 përfitues, njofton “ATSH”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në vitin e tretë të zbatimit të skemës mbështetëse për naftë pa taksa për bujqësinë, duke i ardhur në ndihmë fermerëve për uljen e kostove të prodhimit.

Shteti subvencionon 80.4 lekë nga çmimi i naftës që përfshin akcizën, taksën e qarkullimit, karbonit dhe TVSH-në.

Në vitin 2022 përfituan 34.731 fermerë naftë pa taksa me vlerë financimi rreth 1.95 miliardë lekë. (Fatosi)