Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel: Të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të Rajonit në BE
2023-12-15 09:46:19

Samiti BE-BP (Foto Rtsh)

Samiti BE-BP (Foto Rtsh)

Në Bruksel u zhvillua Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili ndau dhe imazhe nga takimi në rrjetet sociale, citon “ATSH”.

Në përfundim të Samitit u miratua dhe deklarata e përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, ku thuhet se BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Në deklaratë thuhet se BE-ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhe theksohet se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.

Gjithashtu, BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u angazhuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave e vlerave themelore dhe shtetit të së drejtës.

Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë dhe rezistencës së rajonit, duke përfshirë mbështetjen e mëtejshme për lidhshmëri rezistente dhe të sigurt, tranzicion të energjisë dhe larmi të furnizimit me energji.

Në samit u ritheksua edhe paketa e investimeve prej thuajse 30 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, ku mbështetja e dhënë nëpërmjet PEI-së përmban 9 miliardë euro në financim grantesh nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime për periudhën 2021-2027 dhe është në fazë të avancuar zbatimi.

Nga thuajse 30 miliardë euro të paketës së investimeve për rajonin, deri tani janë mobilizuar 16.6 miliardë euro.

“Në këtë kontekst, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të forcojnë shtetin e së drejtës dhe të ndërmarrin me vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta për dialogun ekonomik dhe financiar. Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës”,- nënvizohet në deklaratën e përbashkët. (Irma)