Eurostat: Shqipëria pati vjet nivelin më të lartë të remitancave të dekadës së fundit
2023-12-15 10:54:00

Remitancat (Foto Shqiptarja.com)

Remitancat (Foto Shqiptarja.com)

Vlera e remitancave që hynë në Shqipëri vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë të dekadës së fundit, bëhet e ditur në një raport të Eurostat-it.

Sipas të dhënave zyrtare, remitancat arritën vlerën e më shumë se 1.2 miliardë eurove, 5.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit, shkruan “Panorama”.

Punësimi jashtë vendit përfshin punësimin sezonal, atë afatshkurtër si dhe të ardhurat e punonjësve ndërkufitarë apo në distancë.

Megjithatë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket peshës që remitancat kanë kundrejt ekonomisë së vendit.

Për vitin 2022, mesatarja e vlerës së remitancave kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pranë nivelit të 10.5% (matur si mesatare e thjeshtë e raportit për 6 vendet e rajonit)

Të dhënat krahasuese të Eurostat-it tregojnë se vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në Rajon ngelet Kosova. Për vitin 2022, remitancat përbënin 17.2% të PPB-së së vendit, e ndjekur nga Mali i Zi me 13.3%, Bosnjë-Hercegovina me 10.2%, Shqipëria me 9.2%, Serbia me 9% dhe Maqedonia e Veriut me 3.4% të PBB-së.

Vlerësohet se burimi kryesor i remitancave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Rajonit janë vendet e Bashkimit Evropian.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e remitancave ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2023. Në periudhën janar-shtator, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga puna arritën në 1.05 miliardë euro, në rritje me 16.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Irma)