Shpallen fituesit e konkursit të fotografisë, ministrja Kumbaro: Vlerësojmë promovuesit e Shqipërisë turistike
2023-12-14 11:16:23

Foto nga RTSH

Shpallen fituesit e Konkursit të Parë Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove  “Wanderlust in Albania”, të cilët përcollën magjinë e Shqipërisë turistike, parë nga sytë e turistëve dhe vizitorëve të pasionuar.

Në mbrëmjen gala, ku mori pjesë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, të institucioneve të ndryshme shtetërore e shoqatave turistike e hotelerisë si dhe konkurrentët fitues, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, shprehu entuziazmin për arritjet e këtij konkursi në një kohë vetëm dhjetëditore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, i vlerësoi pjesëmarrësit dhe fituesit e konkursit “Wanderlust in Albania” si një agjenci digjitale marketingu dhe ambasadorë të vërtetë të promovimit të Shqipërisë turistike, citon “RTSH”.

“Jam përpjekur modestisht të promovoj në faqet e mia personale me emër e mbiemër të gjithë ata të pasionuar pas fotografisë, që na e sollën aq bukur përmes objektivit të tyre Shqipërinë turistike, por pse të mos e bëjmë edhe institucionalisht, sepse të gjithë këta artistë, secili me punën e vet, krijuan një agjenci digjitale marketingu, që promovoi Shqipërinë e bregdetit, të festivaleve verore, por po aq edhe si destinacion i vjeshtës”,- theksoi ministrja Kumbaro.

Ajo shtoi më tej se për vitin 2024, Shqipëria ruan të sigurt pozicionimin në top destinacionet më interesante duke nisur nga “National Geographic", që sugjeron Alpet shqiptare të parat në listën e vendeve që duhen parë e prekur nga afër vitin që vjen. (Elona)