Prezantohet Strategjia për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, ministri Manja: Ndihma deri në rehabilitimin e plotë
2023-12-13 15:18:44

Ulsi Manja (Foto ATSH)

Ulsi Manja (Foto ATSH)

Është prezantuar në Tiranë Strategjia për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, siguroi se do të ofrohet shërbim  e ndihmë deri në rehabilitimin e plotë të viktimave, citon “RTSH”.

Ai theksoi mes të tjerash se kjo strategji do të ketë masa shtesë për mbrojtjen e viktimave.

Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit është hartuar plotësisht në përputhje me strategjinë e BE-së për të Drejtat e Viktimave 2020-2025, si dhe ka marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet e mekanizmave kombëtarë dhe ndërkombëtarë në këtë fushë.

Sipas tij, Shqipëria është vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që do të ketë një strategji të posaçme dedikuar viktimave të krimit.

“Në kuadër të reformës në drejtësi, pozita e viktimës në proces penal ka njohur përmirësime të ndjeshme. Krahas përmirësimit të kuadrit ligjor dhe nënligjor, veçanërisht ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, përgjatë këtyre 7 viteve janë krijuar dhe konsoliduar strukturat përgjegjëse që punojnë me viktimat dhe për viktimat, si dhe rritjen e fuqizimit të kapaciteteve të profesionistëve, përfshirë krijimin e aksesit në drejtësi për çdo viktimë”,- tha më tej ai.

Objektivi madhor i kësaj strategjie, sipas ministrit Manja, është adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprave penale në tërësi, si dhe viktimave me nevoja specifike mbrojtjeje. Kjo strategji qartëson zinxhirët e përgjegjësisë dhe mjetet për realizimin e të gjithë procesit të trajtimit dhe mbrojtjes së viktimës, duke nisur nga informimi i viktimës, trajtimi me dinjitet i saj, parandalimi i viktimizimit dytësor, mbështetja dhe mbrojtja për viktimat në çdo fazë të procesit dhe kur është e nevojshme, edhe pas përfundimit të procesit penal. (Elona)