KE për çështjen Beleri: Mos krijoni krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe
2023-12-13 15:22:43

Peter Stano (Foto ATSH)

Peter Stano (Foto ATSH)

Bashkimi Evropian nuk ndërhyn në mosmarrëveshjet dypalëshe, pasi ai ka besim tek aftësia e aktorëve, sidomos nëse aktorët janë shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet që do të jenë pjesë e saj për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë që të ketë përfitim reciprok duke zbatuar parimet dhe rregullat, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, pas komentit të gazetares Joulia Velissaratou, sipas së cilës qeveria greke e kishte bërë të qartë se do të bllokonte rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, pasi kryetari i ri i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ishte ende në burg, citon “ATSH” mediat greke.

“Në këtë rast zbatohet ligji. Ligji duhet të respektohet dhe nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i zotërojnë instrumentet dhe mjetet për t’u dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që mos të krijojnë mosmarrëveshje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit”,- theksoi Stano. (Elona)