Fushatë ndërgjegjësuese për gjurmimin e transportit të jashtëligjshëm të parave
2023-12-13 15:35:40

Fushata ndergjegjesuese (Foto ATSH)

Fushata ndergjegjesuese (Foto ATSH)

Policia e Shtetit dhe doganat, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Këshillit të Evropës dhe qeverisë gjermane nisën fushatën ndërgjegjësuese për gjurmimin e transportit të jashtëligjshëm të parave.

Fushata synon informimin e udhëtarëve mbi rregullat për transportimin e parave brenda dhe jashtë vendit, bën të ditur “ATSH”.

Udhëtarët duhet të deklarojnë shumat mbi 10.000 euro pranë autoriteteve doganore, në momentin e hyrjes ose daljes nga Shqipëria, për të evituar riskun e shkeljes së detyrimeve ligjore në luftën kundër transportimit të jashtëligjshëm dhe pastrimit të parave.

Limiti i vendosur është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për sigurimin e kufijve shtetërorë, në kuadër të anëtarësimit në BE.

Fushata po kryhet përmes posterave informues të vendosur në të gjitha pikat kufitare, si dhe materialeve në mediet sociale.

Drejtori i departamentit për Kufirin dhe Emigracionin në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku, theksoi se policia shqiptare mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave dhe sigurimin e kufijve. (Elona)