Ministrja Manastirliu: Shtrijmë në 650 shkolla laboratorët “smart”
2023-12-13 16:28:47

Manastirliu (Foto ATSH)

Manastirliu (Foto ATSH)

Vijon shtrirja e laboratorëve të inteligjencës artificiale në fazën e dytë të këtij projekti në shkolla, për të rinjtë nga 13-19 vjeç. Nga gjimnazi “Ismail Qemali”, ku pa nga afër projektet e realizuara nga nxënësit në laboratorin e inteligjencës artificiale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se në fokus të punës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të jetë zgjerimi i njohurive të nxënësve në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale, citon “ATSH”.

“Projekti i inteligjencës artificiale ka si objektiv për të përfshirë më shumë se 2 mijë nxënës dhe 140 mësues, për të rritur kapacitetet dhe orientuar zgjidhjet inteligjente nëpërmjet këtyre programeve”,- tha ministrja Manastirliu.

Duke folur për investimet për laboratorët e teknologjisë në shkolla, ministrja Manastirliu u shpreh: “Do të vijojmë me investimet me 216 laboratorë “smart” për vitin 2024 dhe nga 2025-a, do të kemi shtrirjen e këtyre laboratorëve në 650 shkolla të tjera, gjë që do të bëjë të mundur që edukimi digjital të bëhet pjesë e kurrikulës dhe e mësimit të përditshëm të fëmijëve që në moshë të vogël, por nga ana tjetër edhe të zhvillojë mendimin kritik”.

Laboratori i inteligjencës artificiale në gjimnazin “Ismail Qemali” është pjesë e projektit “AI for Youth”, nga i cili përfitojnë nxënës të grupmoshës nga 13-19 vjeç. (Elona)