INSTAT: Çmimet e prodhimit shënuan rritje me 0.7% në tremujorin e tretë
2023-12-13 16:44:41

Biznes (Foto ATSH)

Biznes (Foto ATSH)

Çmimet e prodhimit shënuan rritje me 0.7% në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, cituar nga “ATSH”, një vit më parë ky ndryshim ishte 8.1%. Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të importit në tremujorin e tretë 2023, krahasuar me tremujorin e dytë 2023, është me ulje prej 0.03%.

Të dhënat tregojnë se çmimet e importit të produkteve në seksionin “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan një rritje me 1%. Gjithashtu, çmimet në seksionin “industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 90.6% shënuan një rritje prej 0.7%.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 3%, pasuar nga “konfeksionimi i veshjeve” me 2.8%, “prodhimi i pijeve” me 2.7%, “përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 2.6%, “prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 2.5% dhe “përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike” me 2% etj.

Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “prodhimi i produkteve të duhanit” shënuan ulje me 3.8%. Çmimet në seksionin “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” kanë shënuar ulje me 1.8%, pasuar nga seksioni “industri nxjerrëse” me 0.7%. (Elona)