Donald Tusk zgjidhet kryeministër i Polonisë
2023-12-13 15:55:41

Donald Tusk (Foto France 24)

Donald Tusk (Foto France 24)

Parlamenti i Polonisë zgjodhi Donald Tusk si kryeministrin e ardhshëm të vendit. Një total prej 248 nga 449 ligjvënës të pranishëm votuan në favor të Tusk, i cili është kreu i partisë së qendrës Platforma Qytetare (PO), bën të ditur “ATSH”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e uroi Tusk përmes një postimi në platformën “X”.

“Përvoja juaj dhe angazhimi i fortë ndaj vlerave tona evropiane do të jenë të çmuara në krijimin e një Evrope më të fortë, për të mirën e popullit polak”,- shkroi Von der Leyen.

Më herët, kabineti i kryeministrit konservator në largim, Mateusz Morawiecki, humbi një votë besimi parlamentar, siç pritej gjerësisht.

PO-ja dhe aleatët e saj pro BE-së dolën si fitues në zgjedhjet e 15 tetorit, duke marrë 248 vende në Dhomën e Ulët prej 460 anëtarësh, shumë përpara krahasuar me 194 votat e marra nga partia konservatore, nacionaliste dhe populiste Ligj dhe Drejtësi e Morawiecki-t (PiS).

PiS fitoi një shumicë të plotë në zgjedhjet e 2015-s dhe qëndroi në pushtet për tetë vite.

Aleanca trepalëshe e Tusk tashmë ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni dhe ka vendosur se si do të ndahen portofolët në kabinetin e ri. Qeveria e re pritet të sjellë ndryshime në politikën e jashtme të Polonisë dhe t’i japë fund konfliktit të gjatë me Brukselin, kryesisht për shkak të reformave në sistemin gjyqësor. (Elona)