Miratohet projektligji - Shqipëria në Unionin për Konservimin e Natyrës
2023-12-13 16:00:26

Aktivitet për turizmin malor (Foto ATSH)

Aktivitet për turizmin malor (Foto ATSH)

Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)”.

Projektligji u prezantua nga Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, e cila nënvizoi se bashkëpunimi me IUCN, një shoqatë ndërkombëtare me anëtarë qeveritarë dhe joqeveritarë në të cilin aderojnë 170 shtete, do të shërbejë për bashkëpunimin me ekspertë të fushës nga e gjithë bota, të specializuar në fushën e ruajtjes së diversitetit të natyrës, citon “ATSH”.

Xhembulla sqaroi më tej se bashkëpunimi me ekspertë të kësaj organizate ka nisur që me shpalljen si park kombëtar të luginës së Vjosës dhe po vijon edhe me hartimin e planit të menaxhimit të këtij parku.

Xhembula përmendi disa përparësi nga aderimi në këtë organizatë, pasi IUCN, përmes statusit të saj si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit, i është besuar të mobilizojë burime të rëndësishme financimi dhe të përdorë rrjetin e saj global të anëtarëve dhe ekspertëve për ta vënë këtë financim në efektivitetin më të madh, si dhe është një entitet i akredituar i Fondit të Gjelbër Klimatik. (Elona)