Restaurohet filmi “Lulëkuqet mbi mure”
2023-12-12 11:04:08


Regjisori Dhimitër Anagnosti gjatë ceremonisë (Foto Observer Kult)

Filmi ikonë “Lulëkuqet mbi mure” prodhim i i kinematografisë shqiptare e vitit 1976 me regji nga Dhimitër Anagnosti, i cilësuar si një nga filmat më të mirë shqiptarë, tashmë vjen për publikun i restauruar pas 47 vjetësh. Restaurimi u realizua nga një studio ndërkombëtare dhe filmi u shfaq  në Kinema Milenium në Tiranë në versionin 4K me një dimension të ri. Lajmi si fillim u bë me dije nga vetë Kryeministri Edi Rama, se filmi u restaurua nga një studio prestigjoze ndërkombëtare dhe tashmë mund të ndiqet në kinema.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën për të ndjekur në kinema filmin ikonë "Lulëkuqet mbi mure", i cili iu nënshtrua  restaurimit në 4K të një studioje prestigjioze ndërkombëtare, çka e bëri këtë xhevahir të artit shqiptar të paprekshëm për të gjithë brezat, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.

Filmi u restaurua në studion Dabimus srl në Bari, me mbështetjen financiare të projektit“Sezoni i Filmave Klasikë” të ACE (Association des Cinémathèques Européennes) i programit Creative Europe Desk.  Filmi i restauruar “Lulëkuqet mbi mure”, do të shfaqet në Francë në vitin 2024  si dhe do të shfaqet në 6 gjuhë të botës dhe në shumë vende të Evropës.

Filmi i restauruar (Foto newsbomb.net)

Drejtoresha e Arkivës së filmit, Marinela Ndria në një intervistë për mediat ka falenderuar restauratorin profesorin italian Nikola Barbuti për rijetësimin e  këtij filmi. Ky restaurim në formatin 4K, po shfaqet tashmë në kinema me cilësinë  më të lartë. Drejtoresha e arkivit të filmit Ndria ka theksuar; “Është bërë një punë shumë e madhe për këtë film, në bashkëpunim me Universitetin e Barit “Aldo Moro” me profesor Nikola Barbuti. E falenderoj shumë sepse na ka mbështetur”. Ndria ka theksuar se ftesa për të qenë pjesë e premierës i është bërë dhe regjisorit të filmit Dhimitër Anagnosti, por ai nuk i përballon dot emocionet e mëdha. Gjithashtu ajo theksoi se filmi “Lulëkuqe mbi mure” do të shfaqet në vitin 2024 në Francë dhe më pas në shumë në shumë shtete të Europës.

“Punohet pa fund për restaurimin e një filmi, bëhet fjalë për restaurim digjital dhe e mira është që ti mund t’i rikthehesh shumë herë. Ky ëshë një projekt që ka filluar në muajin maj dhe me aplikimin e tij, mori ‘okay’, që po, ky film fitoi, krahasuar me të gjithë filmat që ne kemi aplikuar. Me restauratorin është një punë e pafundme. Unë jam vetë restauratore dhe atë që konsideroj unë mirë, nuk e konsideron klienti. Por në rastin këtu, je në rregulla strikte dhe ti nuk ke nevojë që të kërkojë klienti se çfarë t’i duhet të bësh, por është një institucion i cili ka rregulla dhe deri kur duhet të shkojë restaurimi. Profesor Dhimitër Anagnosti ka parë trailerin dhe ne bisedojmë nëpërmjet zonjës Roza Anagnosti dhe ajo thotë që është shumë i emocionuar. Ne do të donim një fjalë të tij në premierë, por ajo tha që nuk mund të përballojë dot emocione të tilla, por është kaq shumë i emocionuar që ky film po merr një jetë të re. Sepse vërtetë ky film po merr një jetë të re. Ne tashmë kemi lidhur dhe marrëdhënien me Art TV në Francë, që do të shfaqet në Francë më 2024. Sapo ne e promovuam si film, aplikuam atje dhe mbas ‘Vdekjes së kalit”, ky është filmi i dytë që do të shkojë në Art TV në Francë për t’u shfaqur në 6 gjuhë të botës, si dhe në shumë vende të Evropës”, tha Ndrio.

Foto nga instagrami nga cna.lajme

Të pranishëm në premierën e filmit në kinema Millenium, për ta ndjekur tashmë të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” ishin protagonistët e tij, duke filluar që nga regjisori Dhimitër Anagnosti, Timo Flloko, por edhe personazhet si Strazimir Zaimi, në rolin e Jaçes në film, i cili erdhi enkas nga Franca vetëm për të ndjekur restaurimin e filmit, në premierën e tij më 6 dhjetor.

Timo Flloko u shpreh për mediat pas premierës: “E pashë si për herë të parë, unë zakonisht nuk i shoh filmat në televizion, mu duk sikur nuk isha unë. Ky është një film që ka bërë historinë e vet. Është emocionuese që pas kaq shumë vitesh, të kthehesh e ta shikosh, një kohë e cila sigurisht që nuk është më dhe të takosh kolegët. Është një fat i madh që një regjisor si Dhimitër Anagnosti, është mes nesh” ka thënë Flloko.