“Forbes”: Saranda mes 20 destinacioneve më të bukura të krishtlindjes në Evropë
2023-12-12 10:41:47

Saranda (Foto Rtsh)

Saranda (Foto Rtsh)

Bazuar në një rekord prej 600.000 votash nga udhëtarët nga 168 vende në mbarë botën, organizata e destinacioneve më të mira evropiane “EBD” ka zbuluar listën e vendeve më të bukura të krishtlindjes për t’u vizituar në periudhën 2023-2024, shkruan “Forbes”, citon “ATSH”.

Për herë të parë, qyteti jugor shqiptar i Sarandës është mes 20 destinacioneve më të bukura të krishtlindjes në Evropë.

Sipas “Forbes”, Saranda është një qytet modern, i ri, dinamik dhe një destinacion perfekt gjatë gjithë vitit për pushime me diell apo me dëborë.

Festa e krishtlindjes në Sarandë e shndërron shëtitoren e qytetit në një vend të çudirave dimërore nga data 6 dhjetori deri më 2 janar.

Me dekorime vezulluese, një pemë të bukur krishtlindjeje, shesh patinazhi, karusel, kasolle druri dhe skena për muzikë dhe evente, qyteti ofron një atmosferë festive dhe të veçantë.

“Vizitorët mund të shijojnë kuzhinën lokale, artizanatin lokal dhe produktet rajonale së bashku me një program të pasur koncertesh, shfaqjesh dhe një paradë të Babagjyshit dhe elfëve, duke e bërë atë një destinacion magjepsës pushimi”, shkruan “Forbes”. (Fatosi)