Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, presidenti shqiptar: Ideal i përbashkët për të cilin luftojnë vendet
2023-12-11 18:51:12

Presidenti Begaj (Foto Syri)

Presidenti Begaj (Foto Syri)

Presidenti shqiptar Bajram Begaj e cilësoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut një ideal të përbashkët për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, në mënyrë që çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore, shkruan “ATSH”.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon me 75-vjetorin e krijimit. Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB”,- deklaroi presidenti Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se institucionet vendore do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë. (Fatosi)