Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Klima e biznesit në Shqipëri, ende nën nivelin mesatar
2023-12-10 12:19:24

Indeksi i Dhomes Amerikane te Tregtise (Foto Panorama)

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë publikoi indeksin vjetor, ku vihet re se shqetësimet kryesore të anëtarëve të saj kanë të bëjnë me mungesën e punëtorëve të kualifikuar, monopolet, informalitetin, korrupsionin dhe konkurrencën e pandershme, shkruan “Panorama”.

Indeksi mbi klimën e biznesit shënon një përmirësim të lehtë sivjet, por ai ende është nën nivelin mesatar të nevojshëm.

Përfaqësues të biznesit shprehen se korrupsioni po i nxit njerëzit të largohen nga vendi, duke shkaktuar një gropë të madhe në ekonomi.

Indeksi vjetor i Dhomës Amerikane mbi klimën e biznesit në Shqipëri, shënoi një përmirësim prej afro 2 për qind këtë vit, ndërsa autorët theksuan se shifrat ende janë poshtë mesatares së pritshme.

Përmirësimi nga 41.4 në 43.4 për qind u regjistrua në anketimin vjetor të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Shqipërisë, por ata theksojnë se duke treguar se mjedisi aktual i biznesit në Shqipëri është i pafrytshëm dhe nevojitet përmirësim i ndjeshëm.

Ndër shqetësimet kryesore në këtë organizatë të biznesit mbeten monopolet dhe konkurrenca e pandershme për afro 64 për qind të anketuarve, ekonomia informale për mbi 63 për qind të tyre, ndërsa 59,5 për qind e pjesëmarrësve vlerësuan keq treguesin “Niveli i Korrupsionit”, duke e renditur atë si një shqetësim në rritje për shumicën e tyre.

Në indeksin e këtij viti rënie ka shënuar edhe ecuria e reformave ekonomike në disa elemente krahasuar me një vit më parë: zhvillimi i ekonomisë, kërkesa për mallra e shërbime, investimet dhe punësimi.

Në përmirësim, sipas këtij indeksi, janë raportet e bizneseve me gjykatat, me pronat private, me pronësinë intelektuale, me tatimet dhe doganat, me ministritë, si dhe nismat antikorrupsion. (Irma)