Fondi i Kujdesit Shëndetësor: Mbi 430 mijë qytetarë kryen kontrollin mjekësor bazë
2023-12-10 11:26:08

Foto Atsh

Kontrolli mjekësor bazë gjatë periudhës janar-dhjetor është kryer nga 430 654 qytetarë. Shifra u bë e ditur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Kontrolli mjekësor bazë është një program kombëtar që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet prevalente me qëllim parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore për shtetasit e grupmoshës 35 – 70 vjeç”,-  theksoi FSDKSH .

Ky kontroll ofrohet në qendrat shëndetësore në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë, për çdo shtresë dhe kategori socio-ekonomike, shkruan “ATSH”.

Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme. (Irma)