Banka Botërore miraton projektin për trajtimin e ndotjes së bregdetit shqiptar
2023-12-09 18:06:57

Banka Botërore ka miratuar projektin me vlerë prej 80 milionë dollarësh, që do të trajtojë ndotjet në brezin bregdetar jugperëndimor të Shqipërisë.

Ky projekt synon zonën e mbetjeve nga jugu i Vlorës në Gjirokastër si dhe lumin Vjosa, i fundit lumë me rrjedhje të lirë në Evropë, duke përmirësuar menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe reduktuar ndotjen e ujit, shkruan “ATSH”.

foto: VCG

foto: VCG

Sipas Bankës Botërore, investimi do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve, nga grumbullimi në riciklim, në bashkitë e pellgut të lumit Vjosa. 

Vlerësohet se janë 138.800 banorë të bashkive Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj dhe Selenicë që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga shërbime më të mira të menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe kanalizimeve të ujërave.

BB-ja bën të ditur se me një vëmendje të shtuar në ruajtjen e pasurive unike natyrore, trashëgimisë kulturore të zonës dhe potencialit turistik me vlerë të lartë, projekti i ri synon ta transformojë këtë rajon në një forcë lëvizëse për rritjen ekonomike lokale, rajonale dhe kombëtare. (Irma)