Qeveria shqiptare miraton Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare 2023-2028
2023-12-08 12:59:26

Foto nga Facebook Ministria e Drejtesise

Qeveria shqiptare miratoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare 2023-2028. Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, bëri të ditur se kjo strategji synon të pasqyrojë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse sfidat dhe kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare, citon “ATSH”.

“Strategjia synon të pasqyrojë, në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, sfidat dhe kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare, si edhe përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023-2028. Ky dokument i rëndësishëm strategjik pason atë të vitit 2014, i cili, për vetë zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, nuk u përgjigjet më sfidave të sigurisë me të cilat përballët aktualisht Shqipëria”, - theksoi Fino.

Zv.ministrja deklaroi se tipar themelor i dokumentit të miratuar është pasqyrimi i qartë i përkatësisë politike ndërkombëtare të Shqipërisë si anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, si dhe orientimi i qartë drejt veprimit në përputhje me analizën që i është bërë mjedisit strategjik të sigurisë, në nivel global, rajonal dhe kombëtar.

“Hartimi i dokumentit të ri është bërë duke pasur në konsideratë influencën e faktorëve të cilët pasqyrojnë natyrën në zhvillim të kërcënimeve të sigurisë në ditët e sotme. Natyrshëm, në strategjinë e sigurisë kombëtare pasqyrohen zhvillimet dinamike ndërkombëtare, të cilat lidhen kryesisht me efektet shumëdimensionalë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe fakti që situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare ka krijuar një akumulim sfidash dhe kërcënimesh, të cilat shtrihen nga dimensioni klasik i riaktualizimit të mbrojtjes ushtarake, terrorizmi, cënimi i demokracisë në shkallë globale, përdorimi

dëmprurës i teknologjive në zhvillim, siguria ushqimore e deri tek efektet e ndryshimeve klimaterike”, - u shpreh zv.ministrja. (Elona)