Rama: Rishikim i zonave të mbrojtura, në ekuilibër me perspektivën ekonomike
2023-12-08 14:09:49

Foto nga ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare është në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura, që vjen si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse prej kryetarëve të bashkive, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por që janë dhe nën presion për zhvillim ekonomik dhe social.

Gjatë prezantimin e ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, kryeministri Rama deklaroi se kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri, shkruan “ATSH”.

“Asgjë nuk duhet të na pengojë që të gjejmë një ekuilibër sa më harmonik, gjë që programi dhe projekti i Vjosës si park kombëtar do të vazhdojë të na udhëheqë dhe cilido që do të jetë përballë nesh për të na treguar se si mbrohet natyra, se si duhet të jemi të vetëdijshëm për mbrojtjen e natyrës, se si nuk duhet të prekim asgjë rreth e rrotull ne do t’i kujtojmë Parkun Kombëtar të Vjosës”,- tha kryeministri Rama.

Rama u shpreh se ky është nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte. (Elona)