Kuvendi i Shqipërisë miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2024
2023-12-08 14:43:28

Foto nga Facebook Kuvendi i Shqiperise

Kuvendi i Shqipërisë miratoi nen për nen buxhetin për vitin 2024, i cili nis zbatimin nga 1 janari. Buxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si dhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal, shkruan “ATSH”.

Buxheti 2024 parashikon 735.9 miliardë lekë shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60%.

Synimi i këtij buxheti, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë vijimin e reformave të nisura për ta afruar vendin më pranë integrimit në Bashkimin Evropian.

Rritja ekonomike parashikohet 3.8% ndërsa në periudhën afatmesme parashikohet një rritje mesatare vjetore prej rreth 4%.

Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.

Buxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, për të realizuar objektivin e vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. (Elona)