Kina dhe BE-ja bien dakord të ofrojnë një mjedis të drejtë biznesi
2023-12-08 12:29:28

foto nga Xinhua

Në Samitin e 24-t Kinë-BE, të zhvilluar të enjten në Pekin, të dy palët ranë dakord të ofrojnë një mjedis biznesi të drejtë dhe jodiskriminues për kompanitë e njëra-tjetrës.

Kina dhe BE-ja ranë gjithashtu në një mendje të vazhdojnë të sigurojnë suksesin e dialogëve institucionalë në të tëra fushat dhe nivelet, të këmbëngulin në hapjen dhe përfitimet e ndërsjella e të zgjidhin në mënyrë të përshtatshme dallimet nëpërmjet dialogut e konsultimeve, sipas një njoftimi për shtypin nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Kryeministri kinez Li Qiang, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e drejtuan bashkërisht këtë samit.

Kryeministri kinez u shpreh që të dyja palët duhet t'i përmbahen dialogut e jo kundërvënies, bashkëpunimit e jo ndarjes dhe paqes e jo konfliktit, duke mbajtur kursin e duhur të marrëdhënieve Kinë-BE.

Ai theksoi që Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të mbajtur pozicionin e duhur të partneritetit të gjithanshëm strategjik, për të kërkuar të përbashkëtat duke lënë mënjanë dallimet dhe për të forcuar bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta e koordinimin shumëpalësh, duke i bërë marrëdhëniet Kinë-BE më të qëndrueshme, konstruktive e me leverdi reciproke dhe duke dhënë më shumë kontribut për begatinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e kontinentit euroaziatik e të mbarë botës.

Li vuri në dukje se Kina është e gatshme të eksplorojë modele më të favorshme për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella me BE-në dhe të përpiqet t'u japë vazhdimisht marrëdhënieve dypalëshe impuls dhe gjallëri të re.

"Ne do të zgjerojmë më tej tregtinë dhe investimet e dyanshme, do të vazhdojmë të përmirësojmë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, do të thellojmë partneritetin e gjelbër, do të krijojmë aktivisht partneritetin digjital dhe do të shtojmë shkëmbimet njerëzore," shtoi ai.

Kina kundërshton shkeljen e normave bazë të ekonomisë së tregut dhe kundërshton politizimin e çështjeve ekonomike e tregtare apo zmadhimin e konceptit të sigurisë, tha në vijim Li, duke shprehur shpresën se BE-ja do të mbajë të hapur tregjet e saj të tregtisë dhe të investimeve.

Duke vënë në dukje se BE-ja është e gatshme të jetë një partnere e besueshme e Kinës, Charles Michel-i dhe Ursula von der Leyen-i thanë që BE-ja i përmbahet pavarësisë së saj strategjike dhe është e gatshme të nxitë dialogun e nivelit të lartë me Kinën për të shtuar njohjen e ndërsjellë, për të pakësuar keqkuptimet, për të thelluar bashkëpunimin në fusha si ekonomia e tregtia, bujqësia e ushqimi, ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale, që të përballojnë bashkërisht sfidat globale e të nxitin paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e botës.

Kina dhe BE-ja ranë dakord gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin në ekonomi e tregti, zhvillimin e gjelbër, treguesit gjeografikë dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, të shfrytëzojnë si duhet mekanizmat e dialogut mbi kontrollin e eksportit, të synojnë formimin e një mekanizmi paralajmërimi të hershëm për lëndët e para kryesore dhe të krijojnë një partneritet të qëndrueshëm për zinxhirin e furnizimit.

Të dyja palët u zotuan të forcojnë bashkëpunimin në tregtimin e shkarkimeve të karbonit, të ndjekin e të praktikojnë multilateralizmin, të forcojnë bashkërendimin brenda OKB-së dhe kornizave të tjera shumëpalëshe, të nxitin reformën e nevojshme të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe të punojnë bashkërisht për të trajtuar sfidat globale si siguria ushqimore, ndryshimi klimatik dhe shëndeti publik.  Ato pranuan gjithashtu të shtojnë shkëmbimet mbi çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale dhe të nxitin zgjidhjen politike të çështjeve të pikave të nxehta. (Wang Lei/ Artan)