92 policë përfitojnë kredi pa interes për strehim
2023-12-08 11:20:21

Foto nga ATSH

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, shpallën punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, që përmbushin kriteret për të përfituar kredi me zero interes për banesë.

Programi qeveritar parashikon që deri në vitin 2025 të jenë të paktën 900 familje përfituese të punonjësve të policisë.

Për këtë vit, pas shqyrtimit të aplikimeve, u njoftuan 92 emra fitues, që plotësonin kriteret për të përfituar një kredi pa interes, shkruan “ATSH”.

Ministri Balla u shpreh se që prej ditës së parë në detyrë, ishte angazhuar për t’u kujdesur posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë, por edhe për përkrahjen e familjeve të dëshmorëve apo të rënëve në detyrë.

“Ju jeni përfituesit e parë të këtij programi, por ne shpresojmë që në vitin 2024 të mund të trajtojmë 300 familje të tjera, për ta përmbyllur në vitin 2025 nevojën për të 900 familjet e punonjësve të policisë”,- nënvizoi ai.

Ministri i Brendshëm foli gjithashtu edhe për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të policisë nga viti i ardhshëm, duke vënë në dukje se do të aplikohen edhe bonuset për ushqimin. (Elona)