Marrëveshja për emigrantët, Balla: Protokoll me afat 5-vjeçar, shpenzimet i përkasin Italisë
2023-12-07 11:14:10

Foto nga RTSH

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me Italinë në Komisionin parlamentar për Sigurinë, ku u diskutua në lidhje me projektligjin.

Balla u shpreh se protokolli i firmosur me Italinë ka afat 5-vjeçar, pas të cilit Shqipëria vendos nëse do ta ripërtërijë ose jo, teksa theksoi se të gjitha shpenzimet i përkasin palës italiane, bën të ditur “RTSH”.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë pjesë të territorit sepse ajo mbetet pjesë e territorit të Shqipërisë, por bëhet fjalë për një dhënie të së drejtës së përdorimit të përkohshëm të sipërfaqes së përcaktuar. Ne ruajmë të drejtën që mos ta ripërtërijnë protokollin pas afatit 5-vjeçar. Të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli i përkasin palës italiane si dhe çdo kosto shtesë që mund t’i vijë Shqipërisë prej këtij protokolli”,- tha Balla.

Në lidhje me diskutimet për problemet sociale që mund të sjellë akomodimi i tyre në Shëngjin, ministri Balla u shpreh se pala italiane ka detyrimin t’i mbajë ata brenda strukturave akomoduese. Po ashtu ai sqaroi se numri i emigrantëve nuk do t’i kalojë 3 mijë, teksa shtoi se qëllimi është që ata të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për riatdhesim dhe më pas do të nxirren jashtë Shqipërisë. (Elona)