Presidenti Begaj bën thirrje nga Peqini për të nxitur produktet vendase për ruajtjen e traditës
2023-12-06 14:55:49

Foto nga ATSH

Presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj fermerëve në mënyrë që produktet e tyre bio të kenë të garantuar tregun, ndërsa vlerësoi traditën e prodhuesve që ruajnë cilësinë, gjatë një vizitë në Peqin, ku u takua me banorë dhe autoritetet vendore, shkruan “ATSH”.

Në fokus të bisedave ishte angazhimi i drejtuesve të zgjedhur dhe i sipërmarrësve për rritjen e mirëqenies sociale përmes projekteve zhvillimore. Presidenti Begaj u interesua për jetesën e banorëve të kësaj bashkie dhe nismat e ndërmarra për lehtësitë e veprimtarisë së bizneseve lokale.

“Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet që të blejë prodhime të shëndetshme”,- tha presidenti Begaj, ndërsa vlerësoi ruajtjen e traditës familjare dhe lokale të vërejtur në produktet bujqësore dhe artizanale të ekspozuara në panairin e organizuar me këtë rast. (Irma)