Kryeministri Rama: Vitin tjetër paga mesatare pritet të arrijë në 900 euro
2023-12-06 09:52:48

Foto nga ATSH

Kryeministri shqiptar, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Asambleja e PS-së në Shkodër, se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë 400 milionë euro rritje pagash, shkruan “ATSH”.

“Kjo do të thotë se, pas rritjes së bërë këtë vit, vitin e ardhshëm do të bëjmë një rritje shumë më të konsiderueshme, për mjekët e përgjithshëm, për infermierët, për punonjësit e Policisë, për Forcat e Armatosura dhe për të gjithë punonjësit e tjerë të shtetit shqiptar, për mësuesit, që do ta çojë pagën mesatare në mes të vitit të ardhshëm në 900 euro”,- tha Rama.

Sipas tij, kjo do të sjellë përsëri një rritje pagash në sketorin privat, siç ndodhi këtë vit, si rezultat i nxitjes që i bëri qeveria duke rritur sektorin publik.

Rama u shpreh i bindur që sezoni i ardhshëm turistik do t’i çojë pagat në industrinë e turizmit në nivele ende më të larta. (Irma)